UDHËZUES PËR SKRININGJET E DETYRUESHME GJATË SHTATZËNISË
Kujdesi prenatal është një proces i organizuar dhe i strukturuar i ndjekjes mjekësore të shtatzënisë, që synon zbulimin e hershëm të rreziqeve, parashikimin dhe parandalimin e komplikimeve, si dhe planifikimin e duhur të kujdesit, për të garantuar shëndetin e nënës dhe të foshnjës. Në mjekësinë moderne perinatale, skriningjet e detyrueshme përbëjnë bazën e një kujdesi shëndetësor cilësor dhe kryhen në përputhje me rekomandimet klinike ndërkombëtare, të bazuara në prova, shpjegon Prof. Dr. Kornelija Trajkova, specialiste e gjinekologjisë dhe obstetrikës.
Gratë shtatzëna duhet të informohen për çdo skrining, në mënyrë që të mund të marrin një vendim të mirinformuar. Shtatzënia ndahet në tre tremujorë dhe, për secilën periudhë, ekzistojnë rekomandime të përcaktuara qartë lidhur me llojin, kohën e kryerjes dhe qëllimin e ekzaminimeve dhe skriningjeve të rekomanduara.
TREMUJORI I PARË ËSHTË NJË PERIUDHË E RËNDËSISHME PËR ZBULIMIN E HERSHËM TË RREZIQEVE
Skriningu fillestar laboratorik dhe skriningu për infeksione përfshijnë analizën e plotë të gjakut, përcaktimin e grupit të gjakut dhe të faktorit Rh, matjen e nivelit të sheqerit në gjak, analizat biokimike dhe mikrobiologjike të urinës, si dhe testimet serologjike për HIV, hepatitin B dhe C, sifilizin i cili vitet e fundit ka shënuar rritje në nivel global dhe infeksionet TORCH. Qëllimi i këtyre ekzaminimeve është zbulimi i hershëm i faktorëve të rrezikut. Në përputhje me rekomandimet kombëtare, rekomandohet gjithashtu analiza mikrobiologjike e mostrave ose e strishove nga vagina dhe qafa e mitrës, si dhe vlerësimi i nivelit të pH-së vagjinale, me qëllim zbulimin e hershëm të infeksioneve gjenitale.
Analiza biokimike e urinës kryhet një herë në muaj gjatë shtatzënisë, me qëllim zbulimin e infeksioneve urinare, pranisë së glukozës dhe proteinave në urinë (proteinurisë), si dhe çrregullimeve të funksionit të veshkave. Në kuadër të skriningut për çrregullimet hipertensive, përfshirë edhe preeklampsinë, që gjatë kontrollit të parë antenatal bëhet vlerësimi i indeksit të masës trupore (BMI), matja e tensionit arterial dhe marrja e një anamneze të hollësishme për hipertension të mëparshëm, sëmundje të veshkave ose preeklampsi/eklampsi në shtatzënitë e mëparshme. Gjatë shtatzënisë kryhet monitorimi i rregullt i tensionit arterial dhe i proteinurisë, si dhe vlerësimi klinik për shfaqjen e ënjtjeve, me qëllim zbulimin në kohë të komplikimeve të mundshme.
Skriningu ultrasonografik, përveç konfirmimit të datës së pritshme të lindjes, përfshin edhe një vlerësim të hollësishëm strukturor dhe analizën e markerëve ultrasonografikë, si translucenca nukale, prania e kockës së hundës dhe vlerësimi i markerëve të caktuar të qarkullimit fetal. Ky ekzaminim është shumë i rëndësishëm, sepse shumë çrregullime që më parë zbuloheshin në tremujorin e dytë, tani mund të identifikohen shumë më herët. Kjo mundëson vlerësimin e hershëm të rrezikut dhe planifikimin në kohë të kujdesit të mëtejshëm. Ekzaminimi mund të kombinohet me analizën e markerëve biokimikë të gjakut, si dhe me të dhënat për shtatzëninë dhe gjendjen shëndetësore të gruas, me qëllim përllogaritjen statistikore të rrezikut. Ai mund të plotësohet edhe me testin prenatal joinvaziv (NIPT), i cili përfaqëson një metodë bashkëkohore skriningu përmes analizës së fragmenteve qarkulluese të ADN-së fetale në gjakun e nënës. Ky test përdoret për vlerësimin e rrezikut për anomalitë kromozomale më të shpeshta, si sindroma Down (trizomia 21), trizomia 18 dhe trizomia 13.
TREMUJORI I DYTË ËSHTË PERIUDHA E VLERËSIMIT TË HOLLËSISHËM MORFOLOGJIK
Skriningu ultrasonografik për anomalitë strukturore rekomandohet të kryhet ndërmjet javës së 18-të dhe të 22-të të shtatzënisë. Ai përfshin vlerësimin e një liste kriteresh të përcaktuara qartë, si dhe matjen e gjatësisë së qafës së mitrës, me qëllim vlerësimin e rrezikut dhe parandalimin e lindjes së parakohshme. Qëllimi i këtij skriningu është zbulimi i anomalive strukturore dhe, kur është e nevojshme, kryerja e procedurave shtesë diagnostikuese dhe terapeutike.
Skriningu për diabetin gestacional kryhet ndërmjet javës së 24-t dhe të 28-të, me testin oral të tolerancës ndaj glukozës (OGTT), me qëllim zbulimin e hershëm të diabetit gestacional. Diagnostikimi në kohë mundëson menaxhimin e duhur të shtatzënisë dhe ul ndjeshëm rrezikun e komplikimeve, të cilat mund të jenë serioze. Në javën e 28-të të shtatzënisë rekomandohet edhe analiza e plotë e gjakut, si skrining për anemi.
TREMUJORI I TRETË-PERIUDHA E MONITORIMIT INTENSIV TË RRITJES DHE ZHVILLIMIT TË FETUSIT, SI DHE E VLERËSIMIT TË QARKULLIMIT
Skriningu ultrasonografik për vlerësimin e rritjes dhe zhvillimit të fetusit rekomandohet të kryhet ndërmjet javës së 28-të dhe të 32-të të shtatzënisë. Gjatë këtij ekzaminimi vlerësohet edhe qarkullimi fetal. Pas javës së 32-të përcaktohet me saktësi edhe vendndodhja e placentës, përfshirë largësinë e saj nga kanali i qafës së mitrës. Nga java e 36-të e shtatzënisë është i rëndësishëm edhe vlerësimi i pozicionit të fetusit në mitër. Skriningu për infeksione përfshin strishon vagjinale për analizë bakteriologjike dhe strishon për Streptococcus agalactiae, streptokoku i grupit B (GBS), të cilat rekomandohen ndërmjet javës së 34-t dhe të 36-të të shtatzënisë, pra sa më afër datës së pritshme të lindjes. Qëllimi është identifikimi i grave bartëse të GBS-së dhe zbatimi i profilaksisë me antibiotikë gjatë lindjes, për të parandaluar infeksionin te foshnja. Skriningjet prenatale përbëjnë themelin e mjekësisë bashkëkohore perinatale. Ato mundësojnë identifikimin në kohë të rreziqeve të mundshme dhe krijimin e një qasjeje të strukturuar dhe të individualizuar, me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira për nënën dhe foshnjën.